“Kamp Nou” bëhet me beniamin të ri,  më i shpejtë se Belerini, gati si Nejmari!

Në ndeshjen e javës së kaluar të Primerës spanjolle, Barcelona e kreu, si zakonisht, në mënyrë rutine, detyrën ndaj Betisit, megjithëse në fushë kishte një ekip me mungesa, Pike, Iniesta, Suarez, etj., por, sidoqoftë, katalonjasit fituan të sigurtë 2-0. Rezultati mund të kishte qenë edhe më bindës, por çfarë t’u bësh shtyllave, ku ranë tri herë topat e goditur nga Mesi. Sidoqoftë, tifozët u entuziazmuan nga loja e debutuesit Nelson Semedo.

Ky pjesëtar i përfaqësueses portugeze ishte një opsion rezervë si mbrojtës i djathtë, duke qenë se klubi katalonjas synonte më shumë kthimin e Belerinit nga Arsenali. Por, tifozët, tani, i janë mirënjohës Zotit që ky lojtar erdhi në “Kamp Nou” nga Benfika dhe që,  në pjesën e parë të ndeshjes, pati një saktësi 100 përqindshe pasimesh (gjithsej 27). Po ashtu, tifozët u entuziazmun nga aftësistë e tij vrapuese dhe, në një moment, ai arriti edhe shpejtësinë 33 km/orë, ndërkohë që Usain Bolti, sa për krahasim, shpejtësinë më të madhe e ka 37/6 km/orë.

Sfidanti.al