Ishte kulmi i vapës, data 15 gusht, dhe pakkush e kishte mendjen tek futbolli. Gjithsesi, pikërisht atë pasdite një premtim i madh u bë në stadiumin “Kamp Nou” ku ndodheshin dhjetëra mijë tifozë. Kapiteni Lionel Mesi mori mikrofonin dhe deklaroi se synimi kryesor i sezonit ishte të kthehej trofeu i Championsit në Barcelonë, dhe premtoi se do të bëhej më shumë se maksimumi për t’ia dalë. Kanë kaluar më shumë se 8 muaj, ky premtim u kujtua në konferencën e shtypit nga trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop, skuadra e të cilit do të ndeshet me Barcelonën në gjysmëfinale të Championsit, sot në orën 21:00.
“Ato fjalë në atë kohë m’u dukën si kërcënim, – tha gjermani gjysmë me shaka, – ja ku jemi përballë njëri-tjetrit dhe të dyja skuadrat duan që të shkojnë në finale. Kjo ndeshje nuk është vetëm kundër Mesit, por është padyshim kundër Mesit. Njerëzit thonë se katalanasit nuk janë si më parë, por ata kanë 20 vjet në këto nivele, ndërsa ne vetëm dy vjet”.
Liverpuli ndihet me besim në ndeshjen ndoshta më të vështirë të mundshme. Jo më kot, anglezët shënuan 3 gola në Mynih dhe 4 në Porto. Shqetësimi i vetëm për Klopin është sulmuesi Firmino, ende paksa në dyshim.
Po Barcelona, nga e cila nuk pritet që të dështojë? Katalanasit nuk kanë asnjë problem dëmtimi apo pezullimi, dhe dilema e vetme e trajnerit Valverde është që të zgjedhë mes Kutinjos ose Dembelesë në formacion. Lionel Mesi pritet në formë shumë të mirë dhe do të jetë rreziku kryesor për kundërshtarin.
“Liverpuli është shumë i fortë në sulm, – deklaroi Valverde, – është i jashtëzakonshëm dhe bën shumë presion, me ritëm të lartë. Është loja që Klopi bënte në Dortmund. Nuk na lejohet asnjë gabim, sepse Liverpuli përfiton shpejt. Ka nevojë vetëm për 15 minuta për të vendosur një ndeshje. Pra, duhet të jemi të përqëndruar, është problem më shumë psikologjik sesa fizik”.
Në radhët e Barcelonës janë dy lojtarë që bënë histori në Liverpul për aq sa luajtën aty. Luis Suarez dhe Filip Kutinjo mbeten heronj për tifozët në “Anfild”, ndërsa flasin kështu për televizionin e Barçës. “Ne të dy do të luajmë ndaj ish-skuadrës sonë, – tha Suarezi, – dhe kjo krijon një paqartësi në nivel personal, por objektivi ynë si skuadër është i qartë, të bëjmë maksimumin për Barcelonën, për shokët. Kjo është puna jonë, pavarësisht se do të jem kundër ish-ekipit tim”.
“Kalova 5 vjet tek Liverpuli, – u shpreh Kutinjo, – dhe isha shumë i lumtur atje. Tani, unë kam fanelë tjetër, ngjyra të tjera. Do të jetë një ndeshje e veçantë dhe shpresoj të japim më të mirën”. Barcelona jepet favorite për të fituar, si edhe për t’u kualifikuar, edhe pse në të tria përballjet me eleminim në kupat europiane, ka triumfuar Liverpuli.
Sfidanti.al