Barcelona bën llogaritë se çfarë duhet përmirësuar në 2018!

Kryesimi madhështor në ligën spanjolle nuk mund të mbulojë çdo gjë që nuk shkon mirë në atë që quhet si klubi më i madh i shekullit të 21-të. Barcelona është e lumtur me atë që ka tani për tani, veçse sezoni vendoset pikërisht tani, në fazën e dytë gjatë gjysmës së parë të vitit të ri.

Çfarë gjërash e shqetësojnë më shumë presidentin “azulgrana” Bartomeu dhe trajnerin Valverde? Së pari, ajo më urgjentja, përforcimi i skuadrës dhe kryerja e operacioneve të shitblerjeve në janar. A do të vijë Kutinjo? A do të largohet Maskerano? A do të jepet hua Deulofeu? A do të vijë ndonjë lojtar tjetër që mund të duhet në mbrojtje apo në krahë? Afati është deri në 31 janar.

Për më tepër, duhet “blinduar” Ymtiti që ka klauzolë të ulët, vetëm 60 milionë euro, ndërsa duhen rinovuar kontratat e Gerard Pikesë dhe Sergi Robertos.

Çdo të bëhet në Champions? Shorti nuk është aspak i lehtë, pasi kundërshtar do të jetë Çelsi në të tetat e finaleve, ndërsa Barça nuk kalon çerekfinalet që nga viti 2015 kur doli kampione e Europës. Po ashtu, duhet mbajtur ritmi në La Liga, pa i lejuar vetes asnjë vetëkënaqësi.

Së fundi, duhet hedhur një sy në “Kamp Nou” dhe duhet gjetur shkaku se përse mesatarja e shikuesve është me e ulëta në një dekadë? Me siguri, kjo vjen nga mungesa e suksesit sezonin e kaluar, me Realin që fitoi Championsin dhe La Ligën, ndërsa Barcelona triumfoi vetëm në Kupën e Mbretit.

Sfidanti.al