Barça e Ksavit më në fund tregoi nivelin që pritet prej saj!

Arriti një fitore ndaj një rivali të vërtetë, ndaj kampiones në fuqi të Spanjës dhe ndaj njërës prej skuadrave më të mira të La Ligës. Barcelona mundi 4-2 Atletikon e Madridit në “Kamp Nou” duke treguar më në fund fytyrën që pritej prej saj, fizionominë e një ekipi që mundet dhe duhet të luftojë për tituj. Zhordi Alba, Gavi, Ronald Arauho dhe Dani Alvesh ishin shënuesit për të besuarit e trajnerit Ksavi Hernandez, ndërsa Atletiko vuajti edhe mungesat e disa lojtarëve si Grizman apo të tjerë. Karrasko kaloi Atletikon në epërsi, dhe Suarez shënoi ndaj ish-ekipit të tij për 2-4, pasi Dani Alvesh mori karton të kuq.

Ksavi pati mundësi të hidhte në fushë disa nga lojtarët që janë pjesë e planeve të tij si Arauho, De Jong, Buskets, Pedri, Gavi, Ferran Torres dhe Adama Traore, të cilin trajneri e mburri shumë. Me këtë fitore, Barça kaloi Atletikon në renditje, duke qenë e katërta me 38 pikë (36 madrilenët), e vetëm 2 pikë larg Betisit që u mund. Nuk është e lehtë të mbërrihet Sevilja, dhe aq më pak Reali kryesues, por “blaugranët” sot po luftojnë për Championsin. Sezonin që vjen mund të flitet për titull.

Barcelona (4-3-3); Ter Shtegen, Dani Alvesh, Arauho, Pike, Zhordi Alba, De Jong, Buskets, Pedri (Niko 66’), Gavi (Dest 71’), Ferran Torres, Adama Traore (Obamejang 61’).

Sfidanti.al