Kritika të ashpra për Bajernin pas fitores me Lajpcigun!

Në pamje të parë gjithçka është në rregull, sepse bavarezët e vazhduan rrugën e tyre drejt titullit duke marrë një tjetër tripikësh në Bundesligë, e duke mos lejuar që Dortmundi t’u rrezikojë kreun. Tomas Myler, Robert Levandovski dhe Serg Gnabri shënuan golat, por breshëria e kritikave ishte më e madhe sesa numri i rrjetave ndaj Lajpcigut në fitoren 3-2 në “Alianc Arenë”. “Treshja e mbrojtjes nuk i ofron asgjë kësaj skuadre, – shkruajnë mediat në Bavari, – as në sulm dhe as në mbrojtje. Në 20 minutat e fundit ishte kaos i vërtetë, dhe Bajerni ndryshoi skemën pas zëvendësimeve, aq sa Lajpcigu fare lehtë mund të kishte barazuar”. Një kritikë për Leroi Sanenë që “mund të kishte pasur disa gola të shënuar, nëse nuk do të kishte gjuajtur dobët dhe pa përgjegjësi”. Duket se trajneri Nagelsman ka humbur besimin tek mbrojtësi Upamekano dhe mesfushori Zabicer, ndërsa duket se dëmtimi i Alfonso Dejvisit ka pasur efekt shkatërrimtar në ekip. Bajerni ka 52 pikë, duke mbajtur diferencën me ndjekësit, si dhe duke pasur një golaverazh shumë të mirë, 68-21.

Sfidanti.al