E dha një ndihmë edhe pse nuk shënoi, ndërsa në fund i bëri të gjithë me zemër. Armando Broja hyri vetëm si zëvendësues në ndeshjen e Kupës së Anglisë, mes Sauthemptonit e Koventrit, shërbeu një asist për golin e fitores 2-1, veçse në fund u shtri përtokë mes dhimbjeve. Në përfundim të kohës shtesë, sulmuesi i kombëtares shqiptare u ndihmua për të dalë nga fusha, pasi nuk ishte në gjendje që të ecte vetë, ndërsa shqetësimi është i madh tek Sauthemptoni, Çelsi dhe kombëtarja. Sulmuesi 20-vjeçar ka një dëmtim në gju, ndonëse ende nuk dihet sesa serioz është.
Raporte të ndryshme në Tuiter, sidomos nga faqe të tifozëve të Çelsit, sqarojnë se lëndimi i Brojës nuk është i rëndë, pra ai mund të kthehet shpejt në fushat e lojës. “Broja pësoi një ndërhyrje të gabuar, dhe mori një goditje të fortë në gju, – tha trajneri Hazenhytl, – ne duhet të shohim sesa serioz është dëmtimi. Shpresoj që të mos jetë i tillë, por do ta kuptojmë pas vizitave mjekësore”. Për momentin, vizitat mjekësore nuk mund të bëhen, por duhet pritur që të qetësohet gjuri, e besohet se Broja do të ketë kontrollin këtë të hënë. Sauthemptoni shpreson që gjithçka të shkojë mbarë sepse ka nevojë për sulmuesin shqiptar në një sezon ku mund të ketë suksese në Premier Ligë dhe në Kupën e Anglisë.
Sfidanti.al