Balliu në fushë e Gjimshiti në stol, por Reja nuk i merr në kombëtare!

Për fat të keq ndodh edhe kështu,  Mund të jesh titullar dhe i dalluar në një nga kampionatet më të fortë të botës, dhe sërish të mos gjesh vend tek Shqipëria. Kjo i ngjan Ivan Balliut, i cili nuk u thirr nga trajneri Edi Reja për ndeshjet eleminatore të Botërorit ndaj Anglisë dhe Andorrës, pavarësisht se luan për Rajo Vajekanon në La Liga. Burimë pranë italianit bëjnë me dijë se skema 3-5-2 e bën shumë të vështirë që Balliu të luajë në kombëtare, sepse ka vetëm nga një lojtar në çdo krah të fushës, dhe djathtas titullar i padiskutueshëm është Elseid Hysaj.

Me gjasë, Balliu nuk përshtatet shumë majtas ku janë Lenjani, Trashi e Roshi, ndërsa si alternativë në stol trajneri ka zgjedhur Albi Dokën, i cili është thirrur në ekip. Mëkat i vërtetë, ndërsa në pamje të parë duket se Shqipëria nuk ka luksin të mos ketë një lojtar të La Ligës spanjolle, i cili ishte titullar edhe mbrëmjen e djeshme në ndeshjen që Rajo Vajekano luajti në “Santiago Bernabeu” ndaj Realit të Madridit. Mbrojtësi i krahut ishte shumë aktiv dhe u dallua edhe në fazën sulmuese, kur Rajo iu afrua edhe barazimit 2-2, pas golit të Radamel Falkaos.

Një tjetër habi ka lidhje me Berat Gjimshitin, i cili gjithashtu nuk u grumbullua nga Reja pas dëmtimit që pësoi në ndeshjen e Botërorit ndaj Hungarisë në Budapest. Gjithsesi, Gjimshiti ishte në stol në ndeshjen e djeshme të Serisë A të Atalantës ndaj Kaljarit fituar 2-1. Po ashtu, ai hyri në pjesën e dytë në ndeshjen që Atalanta luajti në mesjavë në Champions ndaj Mançester Junajtidit, dhe pyetja më normale është, përse nuk mundet që mbrojtësi të jetë të paktën në stol për Shqipërinë, kur është i gatshëm për Atalantën?

Sfidanti.al