Në “Kamp Nou” vendosën të mos prisnin më dhe të vepronin për të shpëtuar situatën. Barcelona shkarkoi trajnerin Ronald Kuman pas humbjes 0-1 në fushën e “liliputëve” të Rajo Vajekanos, në formacionin e së cilëve ishte edhe mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Ivan Balliu. Skuadra nga lagjet periferike të Madridit triumfoi me golin e shënuar nga Radamel Falkao, ndërsa Balliu luajti nga fillimi deri në fund. Memfis Depai humbi penallti për katalanasit, dhe Barça humbi për herë të parë ndaj Vajekanos në 19 vjet, që kur trajner ishte holandezi tjetër, Luis Van Gal. “Blaugranët” kanë nisjen më të keqe të sezonit në 34 vjet, kanë vetëm 3 fitore në 10 ndeshjet e fundit me Kumanin dhe rrezikojnë të mos kualifikohen për në Champions, diçka që do t’i dëmtonte edhe më shumë financat e tyre që janë edhe kështu të shkatërruara. Pritet që Ksavi Hernandez të caktohet trajner pas largimit të Kumanit.
Sfidanti.al