Bajerni shkon “kockë e lëkurë” në Champions ndaj Atletikos!

Nuk është se ndeshja hyn shumë në punë, por Hansi Fliku është mësuar të fitojë, dhe jo që të humbasë. Që nga prilli 2018 e deri më sot Bajerni ka pësuar vetëm një disfatë në Champions, atë ndaj Liverpulit në turin e dytë të sezonit 2018-2019, ndërsa ecuria ka qenë fantastike. Me 15 fitore radhazi dhe me 1 humbje në 24 ndeshje, bavarezët janë skuadra për t’u mundur në Ligën e Kampionëve, veçse detyra në Madrid ndaj Atletikos do të jetë tepër e vështirë.

Kampionët e Europës udhëtuan drejt Spanjës pa kapitenin dhe portierin Manuel Nojer, si dhe pa golshënuesin më të mirë Robert Levandovski. Po ashtu, në shtëpi u la Leon Gorecka që është tepër i lodhur, po ashtu si Korenten Toliso i dëmtuar. Këtyre u shtohet kapiteni i ardhshëm, Xhoshua Kimih i dëmtuar dhe Mark Roka që është i pezulluar. Përveç tyre, disa lojtarë janë vërtet të lodhur, siç e pohoi Tomas Myleri, dhe Fliku duhet të mbështetet tek Havi Martinezin për pozicionin numër 6 në fushë. David Alaba ndoshta mund të nxirret përpara në mesfushë, sepse aty do të jetë problemi më i madh, dhe shpresohet që Atletiko të mos përfitojë.

Sfidanti.al