Bajerni pa blerje të mëdha, vetëm humbjet nga biletat janë 100 milionë euro!

Uli Hënes sot nuk është një anëtar bordi, apo një drejtues, por padyshim që ai di gjithçka ndodh tek Bajerni dhe është në rolin e këshilltarit e të presidentit të nderit. Në një intervistë të fundit për median gjerman “Sport 1”, ish-bosi bavarez, deklaroi se klubi nuk do të bëjë blerje të mëdha këtë verë. Lëvizjet ishin vetëm 20 milionë euro shpenzim për trajnerin Nagelsman dhe 45 milionë euro shpenzim për mbrojtësin e qendrës po nga Lajpcigu, Upamekano, ndërsa u mor falas mbrojtësi i majtë anglez Omar Riçards (23 vjeç) nga Redingu.

Edhe pse largohen lojtarë, si Boateng apo Alaba, ndërsa nuk dihet çdo të ndodhë me Kingsli Komanin apo ndonjë tjetër, sërish në Mynih janë të vendosur në linjën e tyre. Nuk bëhet fjalë për Erling Halandin. “Si mund ta financojmë atë? – pyeti Hënesi, – mos vallë duhet të shkojmë në greminë që të dalim kampionë me çdo kusht. Tek Bajerni kjo nuk ndodh”. Vetëm humbjet nga mungesa e tifozëve në stadium janë 100 milionë euro deri tani.

Bajerni nuk merr Vajnaldumin (kërkon 20 milionë euro në sezon), nuk pranon t’i japë Komanit rrogë 17 milionë euro në sezon, ndërsa kontrata e tij vlen deri në 2023, ndërsa pritet të ketë bisedime për rinovim kontrate me Robert Levandovskin. “Ne nuk do të paguajmë ato rroga që na kërkojnë, – thotë Hënesi, – në kushte të tilla nuk do të ketë rinovim kontratash tek Bajerni”.

Sfidanti.al