Barcelona, Koeman drejt largimit, Laporta ëndërron Guardiolën

Largimi i Ronald Koeman nga Barcelona duket se është cështje ditësh. Sipas të përditshmes spanjolle ‘Sport’, Laporta i kërkoi 10-15 ditë kohë për të gjetur emrin e zëvendësuesit të holandezit që e mbylli sezonin me vendin e tretë në kampionat dhe me fitoren e Kupës së Mbretit, ndërkohë që humbi finalen e Superkupës si dhe u eliminua në Ligën e Kampioneve.

Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, largimi i parakohshëm i Koeman do t’i kushtonte Barcelonës 13 milionë Euro, 7.2 milionë për pagën e vitit të fundit të kontratës dhe 5.8 milionë si dëmshpërblim për ndërprerje të parakohshme të kontratës.

Ndërkaq, Laporta ka nisur kërkimet për gjetjen e zëvendësuesit të Koeman. Burime spanjolle thonë se ëndrra e presidentit të Barcelonës është të rikthejë Pep Guardiolën, për të cilin së fundmi janë shtuar zërat për një largim nha Manchester City në rast fitoreje të Ligës së Kampioneve. Gjithsesi rruga për të arritur te Guardiola do të jetë e komplikuar për Laportën dhe kështu në klub po studiohen edhe profile të tjerë. Ndërkaq, drejtuesit e Barcelonës po kërkojnë një mënyrë për të zgjidhur kontratën me Koeman që ka edhe një vit kontratë me klubin blaugrana

Sfidanti.al