Bajerni i Nagelsmanit në Champions nuk është më pak se ai i Flikut!

Bavarezët, kur janë në formë, nuk kanë të ndalur sidomos në fazën e grupeve të konkurrimit më të fortë europian. Skuadra kampione e Gjermanisë realizoi “shëtitjen” e radhës, këtë herë në tapetin e “Spotifaj Kamp Nout”, edhe pse ndeshja u bë e tillë sidomos për meritë të Bajernit. Fitorja 3-0 ndoshta u thjeshtua nga fakti se Barcelona u eliminua pa filluar sfida, pasi Interi mundi Plzenin, por gjithsesi kur fiton kështu në Katalonjë ka kuptim të madh. Për më tepër, pa kapitenin Nojer, me Tomas Mylerin në stol dhe me lojtarë si Mazraui apo Stanishiç që u provuan në “zjarrin e betejës”.

Mane, Çupo-Moting dhe Pavar ishin autorët e golave, ndërsa vendasit nuk realizuan asnjë gjuajtje në kuadratin e portës së mbrojtur nga Ulrajh (!!!) Edhe pse provuan 10 herë! Diferenca u duk e madhe sidomos në pjekuri, unitet dhe fuqinë fizike e shpejtësinë, edhe më shumë sesa u pa në “El Klasikon” e humbur në Madrid me Realin. Bajerni i Julian Nagelsmanit po i ngjan pikë për pikë atij të Hansi Flikut dhe ka 5 fitore në 5 ndeshje, me golaverazhin 16-2!

Bajerni (4-2-3-1): Ulrajh, Mazraui (Stanishiç), Upamekano (Pavar), De Ligt, Dejvis, Kimih, Gorecka, Gnabri, Musiala, Mane, Çupo-Moting (Myler).

Sfidanti.al