Ishte pa zë e figurë, por gjithsesi u luajt. Tifozët shqiptarë jo vetëm që nuk mundën të shihnin asnjë sekondë nga miqësorja e kombëtares në Abu Dabi ndaj Arabisë Saudite, por edhe “shkrepja” e ndonjë fotoje ishte me vështirësi të madhe. Në Federatën Shqiptare të Futbollit ziheshin ngushtë edhe kur i pyesje nëse do të mund të kishte pasqyrim me fotografi nga sfida në stadiumin “Al Nahjan”, ndërsa terri informativ ishte i plotë. Dakord, që Arabia Saudite, si finalist i Botërorit, nuk deshi transmetim të ndeshjes pasi nuk donte të zbulonte asgjë nga taktikat e saj në prag të finaleve të Katarit, por fakti që nuk pati kamera shqiptare në Abu Dabi thjesht për të filmuar stërvitjen e kuqezinjve atje, nuk mund të justifikohet me ndalimin saudit. Gjithsesi, në FSHF ia kanë marrë dorën dhe po sillen si kryeministri Rama, i cili pas një lajmi të keq përpiqet të japë ndonjë lajm (gjoja) të mirë. “Karamelja” e radhës është ajo që kombëtarja do të luajë një miqësore me Katarin në Spanjë në 9 nëntor, ndonëse nuk dihet nëse edhe sheikët e tjerë të Lindjes së Mesme do të vendosin kusht që shqiptarët të mos e shohin ndeshjen.
Sfidanti.al