Bajerni i Flikut, veç 1 gol pas rekordit të Bajernit të Bekenbauerit e Mylerit!

Ishte sezoni 1971-1972 dhe Bajerni i Mynihut realizoi një vit të madh sportiv. Skuadra e drejtuar nga trajneri Udo Latek fitoi Bundesligën me 55 pikë ndaj 52 të Shalkes, por kryesorja, arriti një rekord të golave që mbetet edhe sot e kësaj dite në fuqi, me 101 të tillë. Gerd Myleri realizoi 40, një tjetër ende rekordmen i paarritshëm.

Bajerni i sotëm i trajnerit Hansi Flik arriti në 100 gola pas fitores 4-0 në fushën e Volfsburgut. Sikur edhe një rrjetë më shumë të ishte shënuar, rekordi do të ishte barazuar, por kjo nuk ndodhi . Në Volfsburg realizuan Kingsli Koman, Mikael Kuisons, Robert Levandovski me penallti dhe Tomas Myler, ky i fundit në minutën 79-të. Më pas, nuk u arrit të shënohej. Gjithsesi, Bajerni i Flikut ka diferencë golash më të mirë, 100-32, ndaj 101-38 të atij të Bekenbauerit, Majerit e Gerd Mylerit, madje ka edhe bilanc pikësh të më mirë, sepse ka 26 fitore e 4 barazime, ndaj 24 fitoreve e 7 barazimeve të atëhershme. Levandovski arriti në 34 gola, duke mbetur 6 gola pas rekordit të Mylerit.

Sfidanti.al