Le ta themi që në fillim se ishte një fitore e merituar. Përkundër të gjitha dyshimeve se mbrojtja bavareze nuk do ta përballonte dot sulmin atomik të Paris SG, finalja e Championsit tregoi se një skuadër e ndërtuar mbi yje nuk e përballoi dot lojën atomike të Bajernit të Mynihut. Ishte një triumf “i vogël”, vetëm 1-0, por tepër i madh për nga rëndësia duke kurorëzuar një sezon të jashtëzakonshëm të gjermanëve, trofeu i tretë i madh pas Bundesligës e Kupës së Gjermanisë. Padyshim, më i madhi nga të gjithë për nga prestigji, ndonëse kampionati mbetet gjithnjë më i vështiri.
Trajneri Hansi Flik, një njeri që e nisi karrierën si “shërbëtor” i Joakim Lëvit apo Niko Kovaçit, tregoi se “floriri” e tregon veten edhe kur është i nënvleftësuar. Vetë autori i golit, Kingsli Koman, e tregoi edhe një herë sesa i zoti është trajneri gjerman në zgjedhjet e tij. Ai hodhi në fushë francezin si titullar, në vend të Ivan Perishiçit, dhe kjo funksionoi. Problemi i vetëm ishte në 20 minutat e para, kur PSG hyri në fushë me entuziazëm dhe freski fizike, duke e nisur më mirë, dhe vetëm fati e shpëtoi Bajernin.
Gjithsesi, pas 90 minutave, edhe tifozët më fanatikë parizienë duhet ta pranojnë se bavarezët e merituan, duke qenë më shumë skuadër, jo një grup yjesh të grumbulluar kundrejt pagesave të mëdha, por profesionistë të vërtetë, në plot kuptimin e fjalës. Formacioni i Bajernit: Nojer, Kimih, Boateng (Zyle 25’), Alaba, Dejvis, Tiago Alkantara Toliso 86’), Gorecka, Gnabri (Kutinjo 68’), Tomas Myler, Koman (Perishiç 68’), Levandovski. Tr. Hansi Flik.
Sfidanti.al