Mourinho nis revolucionin te Reali

José Mourinho pritet të rikthehet në stolin e Real Madrid, teksa presidenti Florentino Pérez e ka premtuar si trajnerin e skuadrës për sezonin 2026/27, në rast se fiton zgjedhjet e 7 qershorit. Ka qenë një ditë me zhvillime të shumta në kampin madrilen. Nga njëra anë, Florentino Pérez konfirmoi Mourinhon si zgjedhjen e tij për pankinën e Realit, ndërsa rivali i tij në zgjedhje, Enrique Riquelme, premtoi afrimet e Erling Haaland-it dhe Rodri-t nga Manchester City. Sipas raportimeve të gazetarit Ramón Álvarez nga Radio Marca, Mourinho ka nisur menjëherë punën për ndërtimin e skuadrës dhe i ka bërë të qartë Florentino Pérezit se disa lojtarë nuk bëjnë pjesë në planet e tij për sezonin e ardhshëm. Emrat nuk janë bërë ende publikë, por thuhet se disa prej tyre konsiderohen surprizë.

Ndërkohë, situata mbetet e paqartë edhe për David Alaba-n dhe Dani Carvajal, të cilëve u përfundon kontrata dhe mund të largohen nga “Santiago Bernabéu”. Nga ana tjetër, Reali po lëviz edhe në merkato për të forcuar skuadrën. Sipas raportimeve, afrimet e Denzel Dumfries dhe Ibrahima Konaté janë shumë pranë zyrtarizimit, me Mourinho-n që dëshiron të ndërtojë një ekip konkurrues për sezonin e ri.