Dortmundi e vuri pak në vështirësi, e deri diku edhe Gladbahu. Bajerni duhej të përgjigjej këtë të diel në rinisjen e Bundesligës gjermane, dhe ia doli mbanë ndonëse nuk e pati të lehtë. Në një duel të ashpër në fushën e Unionit të Berlinit, arriti suksesin 2-0 me golat e shënuar nga i përhershmi Robert Levandovski, dhe nga mbrojësi francez, Pavar, duke ruajtur kryesimin bindës në renditje.
Sulmuesi polak realizoi me penallti pranë fundit të pjesës së parë, ndërsa kampioni i botës e bëri 10 minuta para fundit me ekipin e trajnerit Hansi Flik që u ngjit në kuotën e 58 pikëve pas 27 javëve kampionat, 4 më shumë sesa Dortmundi. Unioni i Berlinit luftoi fort, duke fituar shumë dyluftime, e duke goditur shpesh herë drejt portës së mbrojtur nga portieri Manuel Nojer. Po ashtu, kryeqytetasit vrapuan më shumë sesa kampionët në fuqi të Gjermanisë.
Bavarezët, gjithsesi, treguan klasin e tyre më të lartë, duke mbajtur topin gati 70 për qind, e duke qarkulluar sferën në pjesën më të madhe të kohës. Ritmi i lojës nuk ishte aq i lartë sa zakonisht, por kjo ishte diçka e pritshme për shkak të ndërprerjes së gjatë të kampionatit për shkak të koronavirusit, ndërsa skuadrat nuk kanë shumë kohë që stërviten.
Sfidanti.al