Dy skuadrat që priteshin, e kaluan turin dhe janë tani në çerekfinale të Championsit. Bajerni i Mynihut dhe Çelsi i Londrës u bashkuan me “shokët” në mes 8 më të mirëve të kontinentit, ndërsa arritën dy fitore nga dy të mundshme. Bavarezët kaluan Lacion me një fitore “të shurdhër” “vetëm” 2-1 ku Robert Levandovski shënoi me penallti dhe Erik Çupo-Moting dyfishoi shifrat në 73’. Italianët u përpoqën të bënin lojën e tyre, por diferenca me kundërshtarin ishte e madhe, ashtu si edhe “hendeku” i krijuar nga ndeshja e parë fituar 4-1 nga ekipi i trajnerit Hansi Flik. U arrit vetëm të ngushtohej rezultati me golin e Parolos dhe Lacio tani do të kthehet aty ku e ka vendin, në Serinë A për të luftuar për një vend në Europë, mundësisht në Champions.
Çelsi gjithashtu arriti një kualifikim të rëndësishëm pasi mundi 2-0 Atletikon në “Stemford Brixh” dhe rezultati i përgjithshëm ishte 3-0. Shifrat flasin vetë, ndonëse kur rezultati ishte 0-0, spanjollët pretenduan për një penallti dhe u duk se kishin të drejtë. Pas kësaj Hakim Zijeç shënoi për 1-0 në 34’, dhe ndeshja mbeti e fortë deri në fund. Stefan Saviç doli me të kuqe në 81’ për miqtë, ndërsa Emerson dyfishoi shifrat fare në fund, në 90’+4. Mediat angleze vlerësuan lojën e ekipit të trajnerit Tomas Tuhel duke shkruar se paraqitja e Çelsit ishte impresionuese.
Ekipet çerekfinaliste: Bajern, Liverpul, Real Madrid, Paris SG, Mançester Siti, Dortmund, Çelsi Porto. Shorti hidhet në 19 mars (të premten) në orën 12:00. Ndeshjet e para luhen në 6-7 prill dhe ndeshjet e kthimit janë në 13-14 prill.
Sfidanti.al