Lebron nuk do të dijë për moshën, realizon tripëll dabëllin e dytë radhazi!

Mosha është vetëm një numër, u tha pasi disa kampionë të vjetër vazhduan sukseset. Të tillë si Tom Bredi në futbollin amerikan, Zllatan Ibrahimoviç apo Kristiano Ronaldo nuk po pyesin për vitet, dhe diçka të tillë po e bën edhe Lebron Xhejmsi. i mbiquajturi “Mbreti i basketbollit” e tregoi sërish veten ndërsa i ka mbushur e i ka kaluar 36 vjeç, duke realizuar tripëll dabëllin e dytë radhazi. Lejkërsat fituan ndaj Minesotës në “Stejpëll Sentër” Lebroni shënoi 25 pikë, kapi 12 topa në tabela e shërbeu 12 asistë. Kjo, edhe pse nuk ishte në parket për më shumë se 31 minuta, sepse trajnerët e tij duan t’ia kursejnë mbilodhjen.

Suksesi i kampionëve ishte 137-121 në një ndeshje që u luajt thuajse fare pa mbrojtje, dhe Xhejmsi ndihmoi që kalifornianët të mos ndjenin mungesën e madhe të Entoni Dejvisit, si edhe atë të spanjollit Mark Gasol. Dejvis është jashtë deri në prill, ndaj edhe numri 23 do të ketë një detyrë të vështirë edhe më tej. Në moshën 36-vjeçare, Xhejmsi ka arritur ne 99 tripëll dabëlla, ndërsa këtë sezon mbetet një nga lojtarët më të rregullt me mesataren mbi 25 pikë për ndeshje, 8.1 topa në tabela e 8 asistë për ndeshje. Lejkërsat janë në vendin e tretë në Konferencën Perëndimore, jo larg Juta Xhazit kryesues, ndërsa Lebroni synon titullin e pestë në karrierë, një më pak se Majkëll Xhordani.

Sfidanti.al