Bajern, po i del fjala Hamanit, Levandovski kritikon Kovaçin

Pak ditë më parë, një sherr mes dy “bavarezëve” zuri vend në lajmet e para të mediave sportive gjermane. Ish-lojtari Didi Haman, sot analist, ishte shprehur se Robert Levandovski duket si i vetmuar tek Bajerni, pra jo shumë i lumtur, ndërsa presidenti Uli Hënes lëshoi një kundërsulm për ta kundërshtuar ashpër.

Gjithsesi, ashtu si në rastin e largimit të Guardiolës për në Angli, Didi Haman duket se ka të drejtë. Vetë Robert Levandovski e krijoi këtë përshtypje me kritikën publike dhe të fortë ndaj trajnerit Niko Kovaç, pas humbjes me Liverpulin në Champions.

“Ne luajtëm shumë në mbrojtje, – tha ai, – ne nuk rrezikuam aq sa duhet, dhe kjo na pengoi. Ne po luanim në shtëpi, dhe kjo ishte ndeshja jonë, por sërish qendruam prapa, prandaj Liverpuli na mundi. E njëjta gjë ndodhi edhe në ndeshjen e parë, ndaj ne patëm shumë pak raste për gol në të dy takimet. Pra, ne nuk mund të gjejmë asnjë justifikim për eleminimin”.

Një goditje e rëndë kjo për klubin më të shquar në Gjermani, dhe ndër më të mëdhenjtë në Europë, aq më tepër që Levandovski është rekordmeni i sotëm i golave, jo një lojtar si gjithë të tjerët. Sulmuesi polak deshi të shkonte tek Reali një vit e gjysmë më parë, por klubi e pengoi, dhe besohet i premtoi se do të fitonte Championsin në Mynih. Tashmë, “Leva” duket i dëshpëruar pasi mosha po kalon dhe titulli i madh vështirë të fitohet.

Sfidanti.al