Bajern, mbyllet epoka e ‘Robbery’; Roben e Riberi do ikin …

Tashmë është zyrtare; bajerni do të ndahet në fund të sezonin nga Arjen Robben dhe Frank Riberi që në ambientet e futbollit u pagëzuan edhe si ‘Robbery’. Klubi kampion i Gjermanisë konfirmoi gjithcka nëpërmjet rrjeteve sociale për ndërprerjen e këtij bashkëpunimi me dy prej lojtarëve që u bënë protagonistë absolutë të skuadrës bavareze në dekadën e fundit.

‘Lamtumira nuk do të jetë e lehtë, por nuk duhet të harrojmë atë cfarë kemi arritur së bashku duke fituar 20 tituj-u shpreh vetë Riberi në faqen zyrtare të Bajernit të Mynihut, ndërsa Karl Hajnz Rumenige premtoi një festë të madhe lamtumire për Robben e Riberi.

‘Franck dhe Arjen janë futbollistë të shkëlqyer-tha Rumenige-Bajerni u detyrohet shumë të dyve dhe do të përgatisë për ta një festë të madhe lamtumire. Janë maestrot e dhjetëvjecarit më fitues në historinë e klubit’.

Robben dhe Ribery luajnë përkrah njëri-tjetrit prej 10 vitesh; francezi u transferua te bavarezët në 2007 duke lënë Marsejën, ndërsa holandezi u bashkua me Bajernin në 2009 pasi la Realin e Madridit. Riberi gjatë 12 viteve të qëndrimit të tij në Bavari, fitoi 22 tituj, ndërsa Robben në 10 vjet ka në palmaresin e tij 19 trofe.

414 ndeshje dhe 121 gola të shënuar është bilanci i francezit, ndërsa ai i holandezit është 305 ndeshje e 143 gola. në vitet e fundit Bajerni bëri përpjekjet e tij për të sjellë në skuadër futbollistët me të cilët mund të zëvendësonte ‘Robbery’ si Gëtze, Shaqiri, Daglas Kosta, por asnjë prej tyre nuk ishte në gjendje që t’u zinte vendin këtyre futbollistëve që me largimin e tyre me shumë mundësi do të trishtojnë tifozët e Bajernit që padyshim nuk do të ngurrojnë të shprehin mirënjohjen e tyre për ta në cdo moment.

sfidanti.al