Bajern leri mburrjet, vështirë ta kapësh Dortmundin këtë vit

Mungesat e shumta s’mund të jenë tjetër përveçse justifikime. E di mirë këtë trajneri i Bajernit, Niko Kovaç, ndërsa skuadra e tij u kthye sërish në krizë rezultatesh në Bundesligën gjermane. Humbja e pësuar me përmbysje në fushën e Leverkusenit, kombinuar me barazimin e Dortmundit në Frankfurt, bënë që bavarezët të mbeten 7 pikë prapa kreut.

Në “Bai Arena” (BayArena), kampionët e nisën shumë mirë, duke shënuar që në fillim me anë të sulmuesit të momentit, Leon Goreckës. Gjithsesi, forma e mirë e vendasve, dhe problemet e Bajernit, bënë që rezultati të përmbysej pas pushimit. Bejli, Foland dhe Alario ishin autorët e rrjetave të Leverkusenit, që arriti  një fitore të merituar, dhe që ka shpresë për t’u kualifikuar minimalisht në Ligën e Europës.

Bajerni ishte pa disa nga lojtarët e rëndësishëm si portierin Manuel Nojer, mbrojtësin Boateng, dhe dy veteranët Riberi e Roben. Kjo humbje bëri që skuadra e trajnerit Niko Kovaç të mbetet në kuotën e 42 pikëve, 7 më pak sesa kryesuesi Dortmund që barazoi në fushën e Frankfurtit.

Në stadiumin e Ajntrahtit, Borusia kaloi në epërsi në minutën e 22-të me kapitenin Marko Rojs, por vendasit shfrytëzuan treshen e tyre të sulmit. Njëri prej tyre, Luka Joviç, barazoi rezultatin brenda pjesës së parë dhe Frankfurti u ngjit në vendin e pestë në klasifikim, me shanse të mira për Championsin.

Sfidanti.al