Kukësi ia del ndaj “mjerimit” të Vlorës, titulli nuk është larg

Për Flamurtarin, rrogat janë bërë si “legjenda e misrit” për malësorin e Migjenit, dhe është e kotë të bëhen thirrje si “kthejeni dhimbjen në forcë”. Nëse kjo funksionoi në Durrës ndaj Teutës, ishte e pamundur brenda në Vlorë kundër Kukësit.

Përtej pretendimeve ndaj gjyqtarit për një gol të anuluar ndaj Pollozhanit, vlonjatët e trajnerit Daja nuk mundën të sfidonin një kundërshtar me më shumë cilësi dhe më të motivuar financiarisht. Etemi dhe Rroca ishin autorët e golave për veriorët, ndërsa vendasit barazuan përkohësisht pikërisht me kapitenin e ri, shqiptarin e Maqedonisë, Artim Pollozhani.

Shkrimtari i madh i ish-Jugosllavisë, Ivo Andriç, shkruante bënte një përshkrim të Bosnjë-Hercegovinës, si një “sakrificë pa shpërblim”. Pikërisht kështu po bëhet gjithnjë e më shumë Flamurtari, me sakrificat e lojtarëve që nuk do të kenë asnjë kuptim, nëse paratë e premtuara në shtator, mund të jepen në maj, apo edhe më keq, mund të kërkohen në dyert e FSHF-së dhe të FIFA-s.

Pas ndeshjes së Vlorës, Kukësi u ngjit në 38 pikë, vetëm dy pikë prapa Partizanit që luan nesër në fushën e Kamzës. Flamurtari ka 29 pikë, duke mos mundur të përfitonte nga disfata e Skënderbeut.

Sfidanti.al