Gjithçka thuhet se nisi ndërsa luhej një finale e Championsit. Presidenti i Atalantës, Antonio Perkasi, rrëfeu një ditë se “ndërsa po shikoja finalen e Ligës së Kampionëve, ëndërrova se çfarë arritjeje e pabesueshme do të ishte për një klub provincial si ne, që të luanim në një konkurrim të tillë”. Falë këtij frymëzimi, qartësisë së ideve dhe rrezikut të marrë në sy, Atalanta e presidentit Perkasi u kualifikua këtë sezon në Champions, është ende aty, dhe po shkëlqen edhe në SerinëA. Trajneri Gasperini, ndoshta jo prerje e duhur për Interin apo Milanin, mund të quhet më i miri në botë për skuadrën nga Bergamo.
Fitorja e fundit 5-0 në kampionat ndaj Parmës tregoi se “Dea” mbetet sërish në nivelet e edicionit të kaluar, madje edhe më e fortë, pasi shënon më shumë gola. Atalanta është skuadra me më shumë rrjeta në Serinë A këtë vit, 48 në 18 ndeshje, thuajse me mesataren 3 rrjeta për ndeshje, me standardet e një Barcelone apo Mançester Siti. Alehandro Gomez, Remo Frojler, Robin Gosens, Josip Iliçiç dhe sërish Iliçiç ishin autorët.
Do të jetë e vështirë që Atalanta të imitojë mrekullinë e Leisterit që doli kampion i Anglisë me Klaudio Ranierin, sidomos në një kampionat me kaq shumë pabarazi sa ai italian. Duket e pamendueshme që Juventusi të sfidohet nga një “hirushe” si Atalanta, ndërsa më seriozisht merren Interi, Napoli, Lacio apo Roma. Në fund të fundit, bergamaskët kanë borderonë e 13-të të rrogave në renditjen e Serisë A, por kjo gjithsesi nuk i pengon që të bëjnë mrekulli thuajse çdo javë.
Sfidanti.al