Me gjasë do të largohet nga Londra dhe do të shkojë në Milano. Një futbollist ka nevojë për minutazh, aq më shumë kur është një lojtar i sprovuar dhe kampion i botës, por Olivie Zhiru nuk po e ka këtë mundësi tek Çelsi. Trajneri Frenk Lampard ka ide të tjera nga, le të themi Didie Deshamp, që e pëlqen shumë sulmuesin e tij, dhe është pikërisht trajneri i Francës që i bën thirrje futbollistit që të lëvizë.
“Ai nuk është edhe aq i lumtur tani për tani, – ishin fjalët e Deshampit, – nuk mund të jetë i lumtur me kaq pak kohë për të luajtur futboll. Kam folur disa herë me Olivienë, dhe ai gjithnjë e ka ditur se cila është gjëja më e mirë për të. Nuk është faji i tij, dhe Olivie po vuan”. Shpëtimi për 33-vjeçarin mund të jetë një kalim në Serinë A, ku e kërkon me krahë hapur Antonio Konte tek Interi. Zhiru ka qenë në fushë vetëm për 6 ndeshje këtë sezon, me 209 minuta në total, besohet më pak sesa ka luajtur me kombëtaren e tij, në të cilën është golshënuesi i tretë më i mirë i të gjitha kohëve.
Sfidanti.al