Në përfundim të ndeshjes së fituar në Kupë ndaj Evertonit, trajneri gjerman lëshoi shprehjen e tij të spikatur në konferencën për shtyp. “Minamino ishte i shkëlqyer në debutim, – tha trajneri i Liverpulit, – bëri pikërisht atë lloj loje për të cilën e kemi marrë, ai është lojtari që na duhej”. Kush e dëgjon Klopin, dhe nuk do ta dinte se çfarë profesionisti i madh që është, do ta merrte për të çmendur, që ngrinte në qiell një të panjohur si Minamino, ndërsa futbolli botëror ka yje të tillë si Kilian Mbape, Nejmar, Sanço, për të mos folur për të stërnjohurit si Mesi e Ronaldo!
E pra, ky është Klopi, një trajner që nuk do të ishte aspak i interesuar për lojtarë si Mbape apo Sanço, por që dëshiron futbollistë që derdhin në fushë edhe pikën e fundit të djersës, shpenzojnë edhe rezervën e fundit të energjisë, dhe që luajnë lojë skuadre. i tillë është Minamino, të tillë janë Henderson, Aleksandër-Arnold, Robertson, Mane, Firmino, Vajnaldum apo Fabinjo. Është Klopi që guxon të shpenzojë vetëm 8-9 milionë euro për një lojtar, në një biznes të mbushur me “goditje” 100-milionëshe, madje edhe 150 apo 200-milionëshe. Liverpuli, sipas mediave, dëshiron të bëjë ndonjë përforcim tjetër në janar, por gjithnjë në stilin e Minaminos, dhe Klopi po provon se futbolli është më shumë i suksesshëm si lojë kolektive. A nuk bëri po këtë tek Dortmundi duke marrë nga “errësira” lojtarë si Levandovski, Humels, Gëce apo Rojs, për t’i bërë yje të mëdhenj?
Sfidanti.al