Pasojat e tërmetit të 26 nëntorit vazhdojnë të jenë një plagë e hapur e njerëzve të thjeshtë të këtij vendi, së pari e atyre që kanë humbur shumë dhe më pas e atyre që vazhdojnë ta ndjejnë për hir të shpirtit të madh. Pikërisht kjo është kategoria e atyre që solidarizohen sinqerisht, që duan të dhurojnë diçka sipas mundësive, sepse i drejton zemra. Ishin njerëzit e halleve të mëdha, të cilët që ditën e parë morrën diçka nga shtëpia, një lodër të fëmijës, diçka që mund të vishej ende dhe e dhuruan pa u ndjerë, ndërsa kategoria e pakicës foli me miliona, por nëpërmjet ekranit, duke e bërë për turp bamirësinë. Ndërkohë që kjo ndarje midis ndjenjës dhe shfaqes vazhdon edhe sot, kur një pjesë e fatkeqëve të tërmetit po nxirret nga hotelet, për t’u bashkuar në çadra me pjesën tjetër.
Ditën e premte është programuar një ndeshje solidariteti për të prekurit nga tërmeti, ku do të marrin pjesë disa futbollistë që kanë fituar diçka në futbollin e kontinentit dhe një përzgjedhje e lojtarëve tanë ndër vite, të cilët kanë veshur uniformën e Kombëtares. Aktiviteti do të zhvillohet në stadiumin privat të Federatës, pikërisht tek ky që u ndërtua në vendin e “Qemal Stafës” së dikurshëm. Dhe duke qenë pronë e dikujt edhe bamirësinë e kanë ndarë me yje, si ato që stampohen në fasadat e hoteleve. Kështu, çmimi i biletës në sektorin VIP edhe për këtë ndeshje që ka qëllim human, nuk ka dalë jashtë logjikës së zengjinëve… kushton 100 mijë lekë të vjetra. Më pas, në tribunën qëndrore, një ndenjëse kushton nga 80 deri në 50 mijë lekë. Kaq për sa i përket zotërinjve, pjesa më e madhe e të cilëve e kanë parë për herë të parë nga brenda stadimin që ndodhej në krah të Fakultetit Politeknik, vetëm pak përpara se të shembej. Ndërsa pjesa tjetër e impiantit, që konsiderohen tribuna “geto” do të kenë çmime popullore. Ndërsa kur të mbarojë në mbrëmje shfaqja e së premtes, ekzaktësisht të shtunën, ata që do të vazhdojnë të bashkojnë shpirtin me të prekurit e tërmetit do të jenë sërish, pikërisht banorët e getos, në “Arenën e Cirkut” të FSHF-së, ndërsa VIP-at në tribunën e sushit do të mbeten thjeshtë një keqkuptim me pesë yje.