Paulo Dibala e Mario Manxhukiç ishin shumë edhe për Atalantën e shkëlqyer të këtij sezoni. Juventusi u kualifikua për në çerekfinalet e Kupës së Italisë, veçse në stadiumin e vet në Torino nuk arriti dot më shumë se një 3-2 ndaj bergamaskëve, që në portë kishin sërish Etrit Berishën. Pjesa e parë ishte dominim total juventin, me kampionët që shënuan dy gola dhe krijuan edhe 5 raste të tjera për të realizuar. Etrit Berisha nuk mund të thuhet se pati faj, pasi sulmuesit vendas ishin pranë tij, përveçse zotëronin edhe një klas shumë të lartë.
Pas pushimit, megjithatë, skuadra e Alegrit kuptoi se përballë kishte formacionin e trajnerit Gasperini. Atalanta shënoi dy gola ndaj vetëm një të vendasve, si dhe krijuan dy raste të mira për gol, ndaj po dy momenteve të Juventusit. Berisha bëri një prekje vendimtare në minutën e 65-të pas gjuajtjes së blerjes së re, Rinkon, dhe topi goditi shtyllën. Përfundoi 3-2 për Juven, ndërsa portieri shqiptar dhe Atalanta dolën me kokën lart nga fusha, të duartrokitur nga publiku vendas.