Jurgen Klop e humbi sfidën e parë ndaj kolegut të tij, Klod Pyel, dhe Liverpuli iu afrua dështimit në njërin nga objektivat e këtij sezoni, Kupën e Ligës. Ishte Sauthemptoni që triumfoi 1-0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale në stadiumin e tij, falë një goli shënuar që në minutën e 20-të nga Natan Redmond. Me lojtarin më të mirë, Filip Kutinjo, fillimisht në stol, Liverpuli nuk mundi të imponohej, në një ndeshje të ashpër ku vendasit luftuan më shumë dhe merituan suksesin. Redmond, madje, mund të kishte shënuar tre gola, por një herë u ndal nga mrekullia e portierit Karius, dhe një herë tjetër nga ndërhyrja e kroatit Lovren dhe pastaj shtyllës. Nuk mund të thuhet se “të kuqtë” nuk u përpoqën, dhe ata patën rastet e tyre me anë të Daniel Starrixhit apo Firminos. Tashmëm, pritet ndeshja e dytë në “Anfild”, ndërsa Mançester Junajtid fitoi një natë më parë 2-0 ndaj Hall Sitit, në “Old Traford”.