Mançester Junajtid do të ketë nevojë për tri faza transferimesh për të ndërtuar skuadër të aftë për të fituar titullin në Premier Ligë. Zhoze Murinjo besohet se do të bintë edhe një herë drejtuesit e klubit ku punon që të shpenzojnë mjaft, pra ta blejnë suksesin me para në dorë. Gjithsesi, trajneri i “djajve të kuq” është paksa i rezervuar për momentin. “Jam i bindur, – tha ai për një televizion portugez, – se janari do të jetë muaji i atyre që duan të largojnë lojtarë, dhe jo i atyre që duan të afrojnë. Ne do të kalojmë në sulm gjatë verës, dhe unë dua të forcoj sulmin, ashtu siç bëmë vjet duke marrë katër lojtarë”.
Verën e kaluar, Murinjo shpenzoi plot 144 milionë stërlina, për të sjellë në “Old Traford” Zllatan Ibrahimoviçin (falas), Pol Pogbanë (89 milionë stërlina), Henrik Mkitarianin (25 milionë stërlina) dhe Erik Bejlin (30 milionë stërlina). Trajneri i Junajtidit nuk do të kursehet shumë dhe objektivi kryesor mbetet Antuan Grizman, për të cilin mund të paguhen 60 milionë euro. Po ashtu pëlqehet mbrojtësi i Benfikës, Lindelof, por jo me çmimin që kërkon klubi i Lisbonës. Gjithsesi, Zhoze kërkon një mbrojtës dhe një mesfushor, këtë të fundit për të mbuluar rolin e Majkëll Karrikut, që po shkëlqen këtë vit, por që është 35 vjeç.