Kristjan Asllani vijon të jetë në pritje të një zgjidhjeje për të ardhmen e tij, pasi Interi nuk e konsideron më pjesë të planeve të klubit dhe po kërkon një sistemim të ri për mesfushorin shqiptar. Zikaltrit po punojnë për largimin e tij, por deri tani negociatat me klubet e interesuara nuk kanë sjellë një marrëveshje konkrete.
Ditët e fundit, emri i Asllanit u lidh me një kalim te Al Itihad në Arabinë Saudite, si pjesë e një operacioni të mundshëm që përfshinte edhe transferimin e Musa Diabit te Interi. Megjithatë, kjo mundësi është mbyllur pa nisur zyrtarisht, pasi klubi saudit ka zgjedhur një tjetër mesfushor. Sipas raportimeve ndërkombëtare, Al Itihad ka arritur marrëveshjen për transferimin e Dion Lopit nga Almeria për rreth 19 milionë euro.
Futbollisti senegalez luan në të njëjtin pozicion me Asllanin, ndërsa kufizimet për numrin e lojtarëve të huaj në kampionatin saudit kanë ndikuar në vendimin e klubit. Kështu, mesfushori shqiptar mbetet në pritje të një destinacioni të ri. Negociatat me disa klube kanë hasur vështirësi edhe për shkak të kërkesave financiare, pasi Interi kërkon rreth 10 milionë euro për kartonin e tij, ndërsa paga e lojtarit konsiderohet një tjetër element që ndikon në bisedime. Asllani, i cili ka qenë pjesë e Interit prej vitit 2022, tashmë duhet të presë për hapin e radhës në karrierën e tij.

