Çmimi i lartë i Barcola detyron Liverpoolin të ndryshojë strategji

Liverpooli po vijon negociatat me Paris Saint-Germainin për transferimin e Bradley Barcolas, por kërkesa e lartë e klubit francez ka bërë që anglezët të shqyrtojnë seriozisht një tjetër opsion. PSG raportohet se kërkon deri në 168 milionë euro për sulmuesin francez, ndërsa Liverpooli është i gatshëm të ofrojë rreth 100 milionë euro. Diferenca e konsiderueshme mes dy palëve e ka komplikuar marrëveshjen. Sipas raportimeve të “CaughtOffside”, Liverpooli po punon paralelisht për një alternativë dhe vëmendja e klubit është përqendruar te Rayan, sulmuesi brazilian i Bournemouthit. 20-vjeçari konsiderohet një profil që përshtatet me filozofinë e trajnerit Andoni Iraola, falë shpejtësisë, depërtimeve direkte dhe aftësisë për të luajtur në të dyja krahët e sulmit.

Liverpooli raportohet se ka arritur një marrëveshje paraprake për kushtet personale me Rayanin, ndërsa braziliani shihet si alternativa kryesore në rast se transferimi i Barcolas nuk realizohet.

Rayan pati një pjesë të dytë të sezonit mbresëlënëse në Ligën Premier, duke regjistruar shtatë kontribute në gola në 15 paraqitje pas transferimit te Bournemouthi. Nëse PSG nuk ul kërkesat për Barcolan, Liverpooli mund të vendosë të investojë te talenti brazilian, i cili shihet si një lojtar me potencial të madh zhvillimi dhe një profil të përshtatshëm për projektin e klubit në “Anfield”.