Vendosi “veton” që në kthesën e parë, parakaloi kampionin e botës Ljuis Hamilton, dhe fitoi një garë që e dominoi pa asnjë lëkundje. Jo vetëm kaq, por dha edhe xhiron më të shpejtë, duke fituar një pikë më shumë, sipas rregullores së re të këtij viti në Formula 1. Ky ishte Valteri Botas në Çmimin e Madh të Australisë, që u duk sikur të ishte ai kampioni me makinën e tij Mercedes.
“Nuk e di se çfarë ndodhi, – tha Botasi pas garës që e fitoi me 21 sekonda diferencë ndaj Hamiltonit, – nuk di se çfarë të them, por e fillova shumë mirë. Ishte gara ime më e mirë në karrierë”. Ljuis Hamilton foli për skuadrën. “Kjo ishte gjëja më e mirë që ne mund të kishim shpresuar për ekipin, – u shpreh anglezi, – duhet të jemi të lumtur, pasi ishim në dy vendet e para. Valteri ishte i jashtëzakonshëm dhe e meritoi. Pata disa probleme, dhe mendoj se i di se cilët janë, por do të punoj me inxhinierët për t’i rregulluar”.
Ferrari u paraqit shumë dobët dhe Sebastian Feteli mbeti gati 1 minutë prapa Botasit, duke dalë në vend të katërt, i kaluar edhe nga Maks Verstapeni i Red Bullit. “Pse jemi kaq të ngadalshëm”, – thirri me dëshpërim piloti gjerman në radio ndaj inxhinierëve, gjatë garës. Çmimi i Madh i radhës do të jetë në Bahrein në 31 mars.
Renditja: Botas 26, Hamilton 18, Verstapen 15, Fetel 12, Leklerk 10; Mercedes 44, Ferrari 22, Red Bulli 15.
Sfidanti.al