Dihej se nuk do të kishte qenë e lehtë, por doli më e vështirë sesa mendohej. Arsenali e nisi me fitore fushatën e radhës në Premier Ligë, por 61 000 tifozët në “Emirejts” dhe Arsen Venger në stol duhet të jenë bërë për ilaçe zemre. Edhe pse blerja e re, Aleksandre Lakazetë e tregoi veten duke kaluar londinezët në epërsi që në minutën e dytë, ish-kampionët nuk kishin ardhur për t’u mundur. Trajneri Shekspir ishte shumë pranë shkruarjes së një tjetër tragjedie, këtë herë për “topçinjtë”.
Shinji Okazaki dhe Xhemi Vardi përmbysën shifrat në pjesën e parë, por Dani Uelbek të paktën siguroi barazimin përpara pushimit. Me të nisur pjesa e dytë, sërish Xhemi Vardi shënoi dhe u desh të priteshin minutat e fundit, dhe dy zëvendësimet magjike të Vengerit për suksesin e madh. Aron Ramsej shënoi në 83’ dhe Olivie Zhiru dy minuta më pas, për t’i dhënë Arsenalit tripikëshin e parë të kampionatit. Arritur pa Aleksis Sançezin, Lorent Koshielnin, Shkodran Mustafin dhe Per Mertezakerin, por me Granit Xhakën sërish të fortë në formacion.
Sfidanti.al