Armando Broja kthehet në fushë, e nis stërvitjen me Çelsin U21!

Duket sikur do të kalojë në paradhomë, përpara sesa të hyjë në skenën kryesore. Armando Broja është kthyer tashmë në stërvitje me Çelsin, veçse jo me skuadrën e parë e cila është ende me pushime, porse me ekipin e 21-vjeçarëve. Sulmuesi i kombëtares shqiptare ka qenë për një kohë të gjatë pushim për shkak të dëmtimit në gju, ndërsa faza e riaftësimit individual tashmë ka përfunduar. Kalvari prej gati 6 muajsh për fat është mbyllur dhe Broja ka nevojë për t’u stërvitur në skuadër që të kapë ritmin e humbur. Trajneri i ri Maurisio Poçetino ka vendosur që ylli kuqezi të mos largohet nga Blutë e Londrës, të paktën jo këtë verë.

Tekniku argjentinas dëshiron ta shohë shqiptarin në aksion, gjatë fazës përgatitore, për të vendosur përfundimisht se çfarë do të bëjë me të. Ekziston mundësia që Broja të mbetet tek Çelsi për sezonin që vjen, pasi luajti si zëvendësues në fazën e parë të edicionit të kaluar, derisa u dëmtua rëndë në dhjetor. Gjithsesi, nuk përjashtohet mundësia e huazimit apo e transferimit përfundimtar, edhe pse pronari i klubit, Tod Boehli, dëshiron që ta bazojë të ardhmen e Çelsit tek lojtarët e Akademisë, njëri prej të cilëve është edhe Armando.

Sfidanti.al