Arjon Ibrahimoviç: I lumtur që Bajerni ka besuar tek unë, do të jap 100 për qind!

Nuk i ka ardhur ende koha për të firmosur autografe. Nuk është ende një Xhoshua Kimih apo një Tomas Myler, por Arjon Ibrahimoviç ka besim se do të jetë i tillë. Talenti i Bajernit të Mynihut, me origjinë shqiptare nga Kosova, e bindi trajnerin Nagelsman që ta merrte me vete në fazën përgatitore që u zhvillua në Dohë të Katarit. Djaloshi 17-vjeçar ka bindur gjatë seancave stërvitore, edhe në Lindjen e Mesme, dhe në Gjermani, madje ka bërë edhe më shumë. Ibrahimoviçi shqiptar u aktivizua në miqësoren që bavarezët zhvilluan me kampionen e Austrisë, Salcburg, ndonëse si zëvendësues, por gjithsesi e tregoi veten. Pasi zëvendësoi lojtarin më të spikatur të Bajernit këtë sezon, Musialën, Arjoni nuk vonoi të shënonte emrin në listën e shënuesve, për kënaqësinë e madhe edhe të tifozëve të pranishëm në stadiumin e kampusit të klubit në Mynih.

“Unë jam Arjon Ibrahimoviç, jam 17 vjeç, mund të luaj në qendër të mesfushës, mesfushor sulmues, në krah apo edhe qendërsulmues, – thotë Arjoni, – Është një eksperiencë e shkëlqyer me ekipin e parë dhe jam shumë krenar që më morën me vete. Është diçka e mrekullueshme të jesh këtu. Të gjithë shokët më kanë pritur mirë. Kam ardhur që të jap maksimumin dhe të tregoj veten”. Pritet që Ibra i ri të bëhet shpejt pjesë e ekipit të parë bavarez dhe të jetë në krah të yjeve të shquar, të cilëve ka dashur t’u ngjajë.

Sfidanti.al