Barcelona arriti një triumf të madh ndaj Realit të Madridit duke fituar trofeun e parë të sezonit, Superkupën e Spanjës. Derbi i madh spanjoll ishte dominim i plotë i skuadrës katalanase që mposhti rivalin e përjetshëm me rezultatin 3-0. Në finalen e luajtur në Arabinë Saudite, autorë të golave ishin Gavi, Levandovski dhe Pedri. Pritej që dueli të ishte më i fortë dhe më i ekuilibruar, por nuk ndodhi kështu dhe Barcelona u shfaq shumë më lart.
Epërsia e ekipit të trajnerit Ksavi Hernandez u krijua që në pjesën e parë që përfundoi me rezultatin 2-0, ndërsa madrilenët nuk mundën të reagonin. E papritur kjo për kampionët e Spanjës dhe të Europës në fuqi. Tashmë, Barcelona do të kthehet me besim në kampionat ku ndodhet në vendin e parë dhe synon të fitojë titullin për herë parë që nga koha e Mesit. Reali, nga ana tjetër, mund të tronditet jo pak nga një disfatë e tillë.
Sfidanti.al