Arbitrat e Flamurtarit dhe shprehja e urtë popullore për “qeverinë”

Dikur, nja dy shekuj më parë, kur flitej për diferencën mes Anglisë dhe vendeve gjermane (ende të pabashkuara) thuhej se “në Angli, opozita është pjesë e sistemit, ndërsa në vendet gjermane, ajo quhet shkatërruese e sistemit”.

Në futbollin shqiptar, ende sot e kësaj dite opozita quhet sërish shkatërruese e sistemit. Nëse shikon sesi po shkon sezoni kupton se “rrufetë” nga lart po godasin Flamurtarin, me rastin e fundit fare flagrant të ndeshjes ndaj Laçit. Penallti e dyshimtë e dhënë kundër, dy penallti të pastra të padhëna në favor. Po t’i shtosh penalltinë e padhënë ndaj Partizanit, golat e anuluar ndaj Kukësit e Skënderbeut, si dhe golin e padhënë kundër Teutës (pa llogaritur të tjerat), lista bëhet e gjatë dhe gjithçka kuptohet.

Si spjegohet që, në një vend ku gjithkush betohet për “demokracinë” më keq sesa betoheshin dje për Partinë dhe Enverin, ndodhin këto gjëra dhe askush nuk reagon? E pra, kështu jemi ende, sipas shprehjes “me ujin, me zjarrin dhe me qeverinë mos e kruaj”.

Kjo bën që disa klube të caktuar të dihet mirë se janë të privilegjuar, pavarësisht nëse skuadrat e tyre janë apo jo të forta, ndërsa disa të tjerët jo. Njëlloj si kastat e dikurshme në Indi, ku “rajaja” as nuk mund ta shikonte në sy “fisnikun”. Do të duhet kohë që kjo të ndryshojë, ndaj edhe histori si këto të Flamurtarit do të shikojmë plot.

Sfidanti.al