Angelovski: Me Shqipërinë ne do të luajmë ndeshjen më të mirë kualifikuese

Trajneri i përfaqësueses së Maqedonisë, Igor Angelovski, beson se ndeshjen me Shqipërinë ekipi i tij do ta luajë në një nivel të lartë dhe do të arrijë që t’i marrë të trija pikët. Maqedonia, në fakt, nëse marrim parasysh lojën e saj në Haifa kundër Izraelit (0-1), ndodhet në një formë mjaft të mirë, së cilës iu referua edhe trajneri Angelovski.

“Në gjashtë ndeshjet e fundit, ne kemi arritur katër fitore, një barazim dhe kemi pësuar vetëm një humbje, këtë të fundit nga Spanja. Kjo është një prove se ne zotërojmë një formë të mirë, se përfaqësuesja jonë ndodhet në ngjitje dhe me Shqipërinë ne do të zhvillojmë ndeshjen më të mirë kualifikuese. Nuk më intereson, nëse në ndeshjen me Shqipërinë ne konsiderohemi ose jo favoritë. Gjëja më e rëndësishme është që ne të japim më të mirën nga vetja dhe të marrim tri pikët. Jam i kënaqur që ne do të luajmë në një qytet futbollistik, sikurse është i tillë Strumica që na ka dhënë neve edhe emrin më të madh të futbollit tonë, Goran Pandev.

Pres që në stadiumin ‘Mlladost’ të mbizotërojë një atmosferë e mirë dhe një mbështetje të madhe nga tifozët tanë, sepse fitorja mbi Shqipërinë është shumë e rëndësishme për neve. Përfaqësuesja e Shqipërisë ka një trajner të ri dhe futbollistët e saj luajnë mirë, por ne jemi të përgatitur dhe do të luajmë, si gjithnjë, një futboll ofensiv, do të luftojmë për gol më shumë se kundërshtari dhe shpresoj se ne do të fitojmë”, tha trajneri i Maqedonisë, Igor Angelovski.

Sfidanti.al