Në përfundim të ndeshjes së tij më të madhe të karrierës, Konor Mekgregor, shkoi në dhomën e tij të zhveshjes tepër i mërzitur. E kuptueshme! Ai kishte humbur, ndërsa gjëja që urrente më shumë në jetë ishte disfata. i ulur në një kënd, me të parë presidentin e Federatës së Arteve të Përziera Marciale, UFC, Dejni Uajt, kampioni irlandez i kërkoi atij falje. Uajt kishte qenë nxitësi kryesor i ndeshjes ndaj Flojd Mejuedhër të Riut, ndaj Mekgregorit iu duk vetja fajtor para tij.
“Ti duhet të jesh krenar, – iu përgjigj presidenti, – po të them se ishe i pabesueshëm”. Kampioni i UFC-së humbi në raundin e 10-të me nokaut teknik ndaj amerikanit veteran 40-vjeçar, por gjithnjë të jashtëzakonshëm, madje e mbylli ndeshjen në këmbë. Në një deklaratë tjetër pas takimit, Mekgregor, vlerësoi kundërshtarin në mënyrë kalorsiake, duke thënë se “ai është një boksier i madh, madje do të ishte shumë i zoti edhe në MMA”.
Ja, pikërisht këto dy momente të karrierës, krenaria dhe përballimi i humbjes, si dhe vlerësimi i kundërshtarit, i vlejnë Konor Mekgregorit shumë më tepër se gjithë paratë e botës që fitoi nga kjo ndeshje. Nëse do të kishte triumfuar, fitorja do t’i kishte vlejtur gjithashtu më shumë se gjithë “verdhushkat”, pasi ai do të kishte arritur atë për të cilën jetojnë njerëzit me karakter dhe ndërgjegje, fitoren e sfidës së madhe të radhës!
Sfidanti.al