Ançeloti pas humbjes së Realit: Duket se ne morëm një ditë pushim më shumë!

E kush e priste një rifillim të tillë të La Ligës nga kryesuesit? Gjithsesi, kjo ndodhi dhe tani Reali duhet të përballet me faktin e një disfate të hidhur në fushën e Getafes, edhe pse vetëm me shifrat 0-1. Sulmuesi turk, Enesh Unal shënoi golin e vetëm që në 9’, ndërsa përpjekjet e madrilenëve u ndalën nga portieri vendas, David Soria. Trajneri Karlo Ançeloti ishte shumë i shqetësuar për paraqitjen e ekipit të tij, dhe Reali vërtet kryeson me 8 pikë para Seviljes së vendit të dytë (46-38), por kjo e fundit ka 2 ndeshje më shumë për të luajtur.

“Kjo skuadër nuk u duk aspak si ajo që luante deri para Krishtlindjeve, – tha italiani, – duket se ne morëm një ditë pushim më shumë sesa duhej. Ishim një skuadër tjetër, më pak e përqëndruar, por nuk është e lehtë të përgatisësh një ndeshje të tillë pas pushimeve, kur lojtarët udhëtojnë distanca të gjata. Gjithsesi, nuk ia vlen që të justifikohemi, ne nuk luajtëm mirë. Ne nuk meritonim të fitonim, por as nuk meritonim të humbisnim”.

Sfidanti.al