Një ndeshje spektakolare në “Stemford Brixh”, sidomos në pjesën e parë, me 4 gola dhe raste të tjera, që ishte e bukur për tifozët në stadium dhe për teleshikuesit, por jo edhe aq për Çelsin dhe Liverpulin. Barazimi 2-2 ndihmoi së pari Mançester Sitin që tani ndodhet 10 pikë i shkëputur në krye të renditjes së Premier Ligës. Të kuqtë patën epërsinë 2-0 që në 26 minutat e para me golat e sulmuesve, Sadio Mane dhe Mohamed Salah që u mbajtën nga trajneri Klop pikërisht për këtë ndeshje, e tani do të nisen për në Kupën e Afrikës. Blutë e Londrës reaguan në 3-4 minuta në fund të pjesës së parë kur Mateo Kovaçiç (42’) dhe Kristian Pulishiç (45’+1) barazuan shifrat.
Çelsi pati më shumë zotërim topi (58%) dhe më shumë gjuajtje në total (10-7), ndonëse në portë i patën të dy ekipet nga pesë. Vendasit e patën në stol trajnerin Tomas Tuhel, por jo Lukakun e dënuar nga vetë trajneri, ndërsa miqtë nuk kishin trajneri Klop, të sëmurë me Kovid. Për shkak të mungesave që kishin të dyja skuadrat, Çelsi bëri vetëm 2 ndryshime (Çalobah për Zhorzhinjon dhe Havercin për Hadson-Odoin), ndërsa Liverpuli 3. Man. Siti kryeson me 53 pikë ndaj 43 të Çelsit dhe 42 të Liverpulit, por ky i fundit ka edhe një ndeshje të prapambetur.
Sfidanti.al