Ançeloti i ka fituar të 5 ligat e mëdha, por a do të mbijetojë tek Reali?!

Takimi me presidentin Florentino Perez ishte tepër i ngrohtë, dhe numri 1 i klubit padyshim që ishte shumë i lumtur. Në një sezon të paraprirë nga dyshime të mëdha, nga dështimi në verë për të marrë Kilian Mbapenë, ndoshta nuk mendohej një triumf. Ndryshe nga tradita, klubi në “Santiago Bernabeu” nuk bëri shpenzime, madje ndoshta doli me fitim (mori 40 milionë euro për Varanin, pagoi rreth 28 milionë euro për Kamavignën). Gjithsesi, “plakushi” Karlo Ançeloti bëri mrekullinë duke fituar titullin me diferencë të madhe e duke pasur shpresë për Championsin. Italiani u bë trajneri i parë në histori që fiton të 5 ligat kryesore të Europës, pasi e ka bërë me Milanin në Serinë A (1), me Çelsin në Premier Ligën angleze (1), Me Paris SG në Francë (1), me Bajernin në Gjermani (1) dhe tani në Spanjë me Realin. Ai ka 20 trofe si trajner dhe 12 si lojtar, duke qenë një nga personalitetet më fitues të futbollit. Gjithsesi, në 2014 nuk mbijetoi dot tek Reali edhe pse fitoi Championsin. Presidenti Florentino Perez vendosi ta shkarkonte, dhe duhet të shohim se çfarë do të bëjë këtë herë. Nëse Karleto e fiton Championsin sërish, ai do të jetë i paprekshëm.

Sfidanti.al