“Shpërthen” Adetokumbo dhe i jep fitoren Miluokit në Boston

Kampionët në fuqi treguan se do të jenë gjithnjë kandidatë për të fituar sërish titullin, se do të jenë një “arrë” tepër e fortë për t’u thyer, dhe se çdo rival do të duhet t’i bëjë mirë llogaritë me ta. Miluoki Baks fitoi një ndeshje tepër të vështirë, atë në fushën e një skuadre tepër të frymëzuar si Boston Sëlltiksi. Rezultati 101-89 tregoi qartë se përballja ishte e ashpër, me mbrojtje të forta, por me Miluokin që bëri më shumë. Kjo gjë “më shumë” u bë nga kapiteni Janis Adetokumbo, që realizoi një tripëll dabëll.

Lojtari më i mirë i Finaleve të Mëdha të NBA-së vitin e kaluar shënoi 24 pikë, 13 topa në tabela dhe 12 asistë. Po ashtu, bllokoi 2 gjuajtje. Në një moment të caktuar, ai u fut në trihapësh, por nuk pati asnjë shok afër, nuk mund të gjuante në mënyrë të favorshme, ndaj edhe e përplasi topin në tabelë, kërceu sërish duke e kapur dhe duke e zhytur në kosh. “Është fat që ai është me ne”, – tha trajneri i Miluokit, Budenholzer. Holidei shënoi 25 pikë, pati 9 topa në tabela e 5 asistë si dhe vodhi 3 topa. Bobi Portis shtoi 15 pikë e 11 topa në tabela. Ndeshja e dytë luhet sërish në Boston.

Sfidanti.al