Rikthimi i Klausit, Gjasula “troket” në dyet e Bundesligës!

Dikur kemi pasur më shumë përfaqësues aty. Bundesliga gjermane ka qenë një kampionat shqiptarësh me yje të tillë si Ervin Skela apo Altin Lala, pa harruar Igli Taren e Fatmir Vatën, ndërsa ai që ua hapi derën të gjithëve ishte Altin Rraklli në fillimin e viteve 90-të. Në këtë kampionat ku ishim dikur të njohur, po përpiqemi të kthehemi sërish me një lojtar që ia ka provuar shijen edhe më parë. Klaus Gjasula, mesfushori i kombëtares, hodhi një tjetër hap drejt ngjitjes për në elitën gjermane, sepse skuadra e tij, Darmshtati, arriti fitoren e radhës, këtë herë 6-0 ndaj Ercgebirges së Aues. Të 13 850 spektatorët në stadium ishin të lumtur me suksesin e thellë ndaj ekipit ku dikur luante shqiptari Skerdilajd Curri.

Gjasula ishte titullar dhe luajti gjatë gjithë ndeshjes. Me këtë fitore, Darmshtati arriti në vendin e dytë në Bundesligën e dytë, duke pasur 57 pikë, pozicion që të ngjit direkt një kategori më lart. Kur duhen edhe dy javë deri në mbyllje të sezonit, gara mbetet tepër e fortë, pasi ekipi i Gjasulës është më pikë të barabarta me Verderin që ndodhet në vendin e tretë, ndërsa Hamburgu gjithashtu është afër, me 54 pikë. Për Gjasulën do të ishte një rikthim në Bundesligë, pasi ai luajti në elitën gjermane dy sezone më parë në radhët e Paderbornit, madje duke shënuar dy gola.

Sfidanti.al