Alegri “peshon” Monakon: Ka 13 fitore në 15 ndeshjet e fundit!

Parashikimet janë për skuadrën e tij, por Maks Alegri e di se kjo nuk do ta mbrojë aspak nëse nuk do të jetë në lartësinë e duhur. Monako është kundërshtari i radhës i Juventusit në Champions, dhe bëhet fjalë për një pengesë shumë më të madhe sesa tregon ky emër. Skuadra franceze e trajnerit portugez, Zhardim, është e papritura e vërtetë e Europës, dhe trajneri juventin i bën “skanerin” rivalit.

“Monako ka fituar 13 nga 15 ndeshjet e fundit, – u shpreh ai në konferencën për shtyp, – është në formë të shkëlqyer. Dy vjet më parë nuk luante kështu, tani është më sulmuese, më vertikale dhe më e rrezikshme nga krahët”. Pastaj, Alegri merr në analizë lojtarët që do të ketë përballë. “Falkao është kthyer sërish një nga sulmuesit më të mirë në botë, Bernardo Silva është përmirësuar, Mbape është shumë i shpejtë dhe shumë teknik, pastaj janë lojtarët e krahut, mesfushorët”, – thekson ai.

Francezët nuk kanë humbur kurrë në shtëpi në Champions, dhe Alegri shpreson që të jetë sot hera e parë, por sidomos kërkon që Juventusi të shënojë gol. Trajneri juventin i beson skuadrës së tij, mbështetet tek Higuain në sulm, ndërsa Kedirën që mungon e zëvendëson me Markizion.

Sfidanti.al