Një ditë para ndeshjes, Masimiliano Alegri deklaroi se e shihte të vështirë ndeshjen e kësaj jave ndaj Beneventos, në Serinë A. Shumëkush qeshi pasi po luante skuadra kampione ndaj vendit të fundit që nuk ka fituar asnjë pikë, por Alegri e dinte mirë për çfarë fliste. Juventusi vuajti shumë dhe ishte në dizavantazh pas pjesës së parë, falë golit të Çiçiretit për miqtë, dhe u desh të kalonte një orë lojë që të përmbysej rezultati. Higuain e Kuadrado shënuan në 57’ e 65’.
Gjithsesi, Juventusi doli mirë nga java e 12-ë, pasi rivalët kryesorë u ndalën. Napoli i vendit të parë, më në fund e ndje plotësisht lodhjen në Champions dhe humbjen me Sitin, duke mos marrë më shumë se një barazim 0-0 në fushën e Kievos në Veronë. Edhe më keq Interi, që barazoi në “San Siro” me Torinon, madje ishte në prag të humbjes. Falke kaloi miqtë në epërsi dhe Eder barazoi në 79’. “Mëkat se mund të fitonim, – tha trajneri Spaleti pas ndeshjes, – edhe pse u ndodhëm në humbje”.
Ndryshe Roma që fitoi 4-2 në fushën e Fiorentinës, pas një ndeshjeje spektakolare. Zherson kaloi dy herë në epërsi romanët në pjesën e parë, por Fiorentina barazoi dy herë, golin e fundit me anë të djalit të Diego Pablo Simeones, Xhovanin. Manolas dhe Peroti i dhanë fitoren skuadrës së trajnerit Di Françesko që, nëse fiton ndeshjen e prapambetur arrin në 2 pikë larg vendit të parë.
Renditja: Napoli 32, Juventus 31, Inter 30, Lacio 28 (-1), Roma 27 (-1)
Sfidanti.al