Arlind Ajeti është mësuar të luftojë dhe të mos dorëzohet. Kjo në Serinë A ishte periudha e tij më e vështirë në karrierë, pas shkëlqimit që pati po në Itali me Frozinonen. Tek Torino erdhi konkurrenca më e madhe, kërkesat më të larta nga trajneri Mihajloviç, por sidomos dëmtimi dhe pasiguritë.
E gjitha kjo duket se më në fund është lënë pas. i kritikuar ashpër pas golit të pësuar nga Torino javën e kaluar për faj të tij, mbrojtësi i kombëtares përkundër të gjitha pritshmërive ishte sërish titullar. Mihajloviç, që edhe ai e kishte kritikuar, i besoi përsëri dhe nuk doli i zhgënjyer. Me Ajetin në fushë, skuadra “granata” arriti fitoren e parë për vitin 2017, ku djali nga Kosova shënoi edhe gol, por edhe autogol.
Torino kryesoi deri në 5-0 ndaj Peskarës me rrjetat e shënuara nga Falke, Ajeti, Beloti, Ljajiç e përsëri Beloti. Më pas, miqtë me në krye kapitenin Ledian Memushaj reaguan dhe shënuan tri herë. Rrjeta e parë ishte ajo e Ajetit në portën e vet, pastaj erdhën dy golat e Benalit. Gjithsesi, autogoli nuk ia prish pasditen e së dielës mbrojtësit të qendrës, që tashmë quhet një alternativë e rëndësishme për Torinon.
Shqiptarët e tjerë që luajtën ishin Etrit Berisha në portën e Atalantës, i cili gaboi në rastin e golit të pësuar, por skuadra e tij fitoi 3-1 në Palermo, po ashtu në fushë ishte edhe Frederik Veseli. Empoli nuk mundi ta përballonte Interin, duke u mundur 0-2 në “San Siro” me rrjetat e Ederit dhe Kandrevës.