Aguero ikën si hero, lojtari me më shumë gola në Premier për një ekip!

Me dy rrjetat e shënuara dje arriti në 184 me fanelën e Mançester Sitit. Ky është Sergio Kun Aguero, që i tha “lamtumirën” (me gjasë) Premier Ligës angleze duke vendosur një rekord. Edhe pse nuk do të mund të jetë shënuesi më i mirë në historinë e kësaj lige, sërish do të largohet si lojtari që realizoi më shumë gola me një ekip të vetëm. Këta 184 gola ai i shënoi në 275 ndeshje, ndërsa për Mançester Sitin ka gjithsej 260 rrjeta, në 389 ndeshje.

Më shumë gola në Premier ka Alan Shirer, 260, i ndjekur nga Uejn Runi me 208 dhe Endi Koul me 187, ndërsa i katërti është Aguero. Argjentinasi ka mesatare më të mirë, me 0.66 gola për ndeshje ndaj 0.59 të Shirerit, ndërsa mbi të si përqindje janë Tieri Henri me 0.68 dhe Harri Kejn po me 0.68. Me shumë gjasë, do të jetë pikërisht Kejni që do të thyejë rekordin e Shirerit pasi ka 166 gola në 245 ndeshje, ndërsa pritet që ta vazhdojë karrierën në Premier Ligë tek Mançester Siti. Vetë Aguero do të shkojë tek Barcelona ku pritet të shkëlqejë në krah të Lionel Mesit, me kushtin e vetëm që të mos dëmtohet.

Sfidanti.al