E para është Katlin Kryger, menaxherja e ekipit që në Mynih cilësohet si “shpirti i skuadrës”. Robert Levandovski ia kaloi menjëherë asaj buqetën me lule që iu dhurua nga Karl-Hajnc Rumenige, në përfundim të sezonit të Bundesligës. Sulmuesi polak i Bajernit vendosi rekordin e ri të kampionatit gjerman me 41 gola në një edicion, duke kaluar rekordin legjendar të Gerd Mylerit. “Falenderoj nga zemra Katlinën për ndihmën që më ka dhënë, – tha Leva, – por jo vetëm mua, por gjithë ekipit. Edhe rekordi im është rekord i ekipit”. Katlin Kryger është shtatzënë, dhe ka marrë lejen e lindjes pasi pret fëmijën, por nuk deshi ta humbiste ndeshjen e fundit të kampionatit. Me gjasë, ajo mund të largohet sezonin tjetër. Dhurata e dytë e Levandovskit ishte për gruan e Gerd Mylerit, Ushin (Uschi). Legjenda e futbollit gjerman është në gjendje të vështirë shëndetësore, me dementia, ndërsa Levandovski i dha Ushit një fanelë të firmosur nga ai, me mbishkrimin “përgjithmonë Gerd”!
Sfidanti.al